“Një nga më të mëdhenjtë shkrimtarë europianë, Ismail Kadare, flet për temat më delikate dhe ndarjet midis serbëve dhe shqiptarëve, mbi urrejtjen e zgjatur, zemërimin dhe mllefin, mbi miqësinë dhe moskuptimet me shkrimtarët serbë, mbi shtrembërimet e historisë, që e kapërcen dramën ballkanase, dhe për arsyen përse ishte dashur që Serbia të ishte e para që ta njihte Kosovën”. Shënim i redaksisë së revistës “NIN”
Letersia e Gjuhes Shqipe e reduktuar per provim mature
CLIRIMI I SERBISE PREJ KOSOVES - Ismail Kadare
1. ÇLIRIMI I SERBISË PREJ KOSOVËS
“Një nga më të mëdhenjtë shkrimtarë europianë, Ismail Kadare, flet për temat më delikate dhe ndarjet
midis serbëve dhe shqiptarëve, mbi urrejtjen e zgjatur, zemërimin dhe mllefin, mbi miqësinë dhe
moskuptimet me shkrimtarët serbë, mbi shtrembërimet e historisë, që e kapërcen dramën ballkanase,
dhe për arsyen përse ishte dashur që Serbia të ishte e para që ta njihte Kosovën”. Shënim i redaksisë së
revistës “NIN”
Pyetje 1. Ju jeni një nga shkrimtarët më të njohur të botës sot. Ka gati dyzet vjet që e keni fituar këtë
status, sidomos në Perëndim, por, kohët e fundit, edhe në vendet e ish-Lindjes. Kritika botërore është
treguar bujare me ju. Krahasimet me Homerin, Danten, Kafkën nuk mungojnë. Këto vlerësime tepër
të larta për veprën tuaj, për rolin emancipues të saj a i përjetoni edhe si një rritje përgjegjësie
përpara opinionit të vendit tuaj, atij ballkanik dhe atij botëror?
Së pari desha t’ju theksoj se unë jam shkrimtar dhe përgjegjësia ose jo përgjegjësia ka lidhje, në radhë
të parë, me letërsinë. Të tjerat janë rastësi. Nuk jam kundër rolit zbutës, emancipues të letërsisë, por
desha të them se nuk është letërsia ajo që mund të ndreqë problemet e kësaj bote. Ndoshta mund të
ndodhte kjo, me kusht që letërsia të prishte veten e vet… Vura re se në listën e pyetjeve tuaja, ka disa
për çështjet e sotme, sidomos ato në Ballkan. Unë ju kuptoj dhe nuk jam kundër t’ju përgjigjem, veç do
t’ju lutesha t’i merrni fjalët e mia brenda kushtëzimit që përmenda më lart.
( 1 nga 11 )
2. Që të jem më i rrokshëm: ju përmendët pak më lart disa emra të mëdhenj, çka sot do të ishte kënaqësi
për çdo shkrimtar. Por krahasimet, përveç që gjykohen shpesh si të pasakta, qëllojnë të jenë edhe të
rrezikshme. Ja, për shembull, pak njerëzve u shkon ndër mend se Homeri ka qenë i pari dhe për fat i
vetmi kolos i poezisë që s’kishte as më të voglën rezervë kundër luftës! Sipas ligjeve të sotme, do të
ndalohej kudo. Dhe kjo që sapo thashë s’është aspak fantazi, ngaqë disa ditë më parë u hap lajmi se
OKB-së iu kërkua të ndalonte, për arsye të ngjashme, Dante Aligierin! Natyrisht që do të ishte mirë që
OKB-ja, më shumë se të fantazonte kundër poetit, të lexonte si duhej Danten, për të mësuar prej tij se si
duhen dënuar krimet kundër njerëzimit, gjë që Dante e ka bërë më mirë se ajo!
Pyetja 2. Ju keni botuar një ese të rëndësishme “Mosmarrëveshja”, e cila është konsideruar me të
drejtë si një nga majat e mendimit shqiptar. Ky libër, duke folur për “raportet e vështira të
shqiptarëve me vetveten”, trajton gjerësisht raportet e popujve të Ballkanit me njëri-tjetrin, me
Europën, si dhe të kësaj të fundit me ta. Në këtë libër ju jeni i ashpër me vendin tuaj, por po ashtu
me fqinjët e tij ballkanas, me grekët, serbët, osmanët, shkurt, me të gjithë. Është si një pasqyrë e
pamëshirshme që ju vini përpara të gjithëve. A mendoni se kolegët tuaj ballkanas do të ndërmerrnin
të njëjtin aksion ndaj popujve të tyre?
Do ta dëshiroja shumë një gjë të tillë. Do të ishte e mirë për të gjithë ne. Më lejoni të përsëris idenë se
ka një të mirë të përbashkët dhe ka një të keqe të përbashkët në Ballkan. Pikërisht këtë ne jemi të paaftë
tani për tani ta dallojmë. Mendjet tona janë kapur ende nga kurthet e vjetra: e keqja jote është e mira
ime. Dhe e kundërta.
Klasat politike në Ballkan e kanë të vështirë të dalin nga ky kurth. Ato nuk kanë as aftësinë e as
vizionin për një gjë të tillë. Ata kalojnë nga krekosja nacionaliste, në përulje kozmopolite. Europa e
bashkuar nuk e ka lehtë të merret vesh me gadishullin e vet problematik. Por ndoshta s’duhet t’i vëmë
edhe shumë faj. Të mos harrojmë se ajo ka edhe tre gadishuj të tjerë veç vetes!
Të kthehem te çështja e Europës. Ndjesia për të është disi e ndryshme te ballkanasit. Është i njohur
admirimi i pakusht i shqiptarëve për Europën dhe SHBA-në. Kjo ndoshta vjen ngaqë humbjen e
Europës ne e kemi përjetuar më tragjikisht se të tjerët. Qysh në vitet 30-të një poeti ynë ka shkruar se ne
“e duam Perëndimin me një dashuri tragjike”. Ky tragjizëm u theksua gjatë izolimit komunist. Ju,
sllavët e Ballkanit, jeni më të përmbajtur, dhe kjo ndoshta vjen se ju bashkë me Europën keni familjen
sllave, ndërsa ne s’kemi fis tjetër.
Këtu do të shtoja se admirimi nuk mjafton pa mirëkuptimin. Mendoj se ballkanasit duhet të ndihen të
nderuar që Europa merret seriozisht me ta. Natyrisht që Europa me përmasat e saj kontinentale mund të
krijojë keqkuptime. Mendoj se një nga keqkuptimet ose më saktë një nga keqinterpretimet e mendimit
europian mund të jetë marrëdhënia e çdo vendi me vetveten. Duket sikur, për të shmangur rrezikun e
nacionalizmit, që është vërtet një rrezik për këdo, e sidomos për Ballkanin, Europa përkrah njëfarë
shkombëtarizmi. Me fjalë të tjera, duket sikur ajo na thotë: të këqijat tuaja vijnë ngaqë e doni më shumë
se ç’duhet vendin tuaj. Mendoj se këtu është keqkuptimi. E keqja nuk vjen ngaqë ballkanasit e duan
shumë kombin, por ngaqë e duan keq. Po ta donin vërtet vetveten, do t’i donin edhe të tjerët.
Rrjedhimisht, këshilla e Europës do të duhej të ishte: s’është puna ta doni më pak veten, por ta doni më
mirë. Këtë pak a shumë kam trajtuar, ndër të tjera, në librin e fundit.
( 2 nga 11 )
3. Pyetje 3. Ju keni hyrë në letërsinë europiane dhe botërore, duke u nisur nga Gadishulli ynë
Ballkanik. A është i mallkuar Ballkani për keqkuptime?
Mendoj se nuk ka as zona e as popuj të mallkuar. Nuk jemi ndonjë planet shtrigash për ta marrë
seriozisht një gjë të tillë. Thirrja e njohur “qenkemi të mallkuar” është dykahëshe. Ana pozitive e saj
është ajo e protestës. Ana negative, dorëzimi para së keqes.
Pyetja 4. Pse ju nuk e keni konsideruar asnjëherë veten si disident?
Përgjigje 4. Sepse kështu është e vërteta. Për fat të keq, spekulimet me fjalën “disidencë” janë të
pafundme. Disidencën, kundërshtimin publik të një rendi, doktrine apo shteti Shqipëria komuniste nuk
e ka njohur. Nuk dëshiroj të merrem me pse-në e kësaj dukurie, sepse letërsia nuk ka nevojë për këtë.
Letërsia si një botë paralele, pra e pavarur, ka ligjet dhe paktet e saj, që ndryshojnë nga ato të shoqërisë.
Do të përsëris vetëm njërën, mosnjohjen e votës, bazën e demokracisë. Ngaqë nuk zgjidhen me votim,
shkrimtarët s’kanë detyrime të veçanta, politike, zgjedhore, ndaj askujt, veç ndërgjegjes së vet. Në qoftë
se do të kishin një tejçim (transferim) të tillë parimesh, një pjesë e letërsisë antike dhe asaj të Mesjetës
do të përjashtohej nga tempulli, për arsye të emancipimit të munguar. (Dënimi i vonë i skllavërisë në
Europë, ose heqja e bujkrobërisë në Rusi, më 1860!) Siç po e shohim s’është vetëm Dante Aligieri që
ka probleme. Ç’do të bënim me të tjerët? Ç’do të bënim, për shembull, me një shkrimtar jo fare gjenial,
por sidoqoftë të madh si Turgenjevi, i cili hynte e dilte në sallonet e Parisit, por ndërkaq andej nga
Rusia e largët, vinte lajmi se kishte nja pesë mijë bujkrobër në çifligun e vet!?
Pyetje 5. Në librat tuaj, sidomos te “Mosmarrëveshja”, ju përfshini të gjithë kulturën e këtij rajoni,
historinë, pasionet, folklorin, politikën dhe fatkeqësitë e tij. Nga vijnë gjithë këto konflikte?
Këto pyetje bëhen kudo nga shumë njerëz, nga shumë zyra, në shumë gjuhë. Në pamje të parë duken
shumë të thjeshta, shumë të qarta, madje krijojnë padurim për t’u dhënë përgjigje. Mirëpo fill pas kësaj,
vjen përshtypja e dytë: prapa qartësisë befas bie mjegulla e dyshimit: kur gjërat janë kaq skandalisht,
kaq mizorisht të qarta, pse nuk vjen zgjidhja? Çfarë na pengon?
Në një mbledhje ndërkombëtare shkrimtarësh në Zvicër, pas rënies së komunizmit, më kujtohet një
shkrimtar që priste me padurim të merrte fjalën, për të rrëfyer për vendin e vet ish-komunist. Ditën e
dytë, kur i erdhi radha të fliste, befas pati një hutim e një tronditje, shkaku i së cilës kishte qenë lajmi i
porsambërritur nga vendi i vet për një manifestim studentësh nën parullën çoroditëse: “Poshtë populli!”.
Më vjen ndër mend kjo sa herë dëgjohen thirrjet pesimiste për Ballkanin pa të ardhme. Ato përsëriten
shpesh, gati-gati si një propozim që i ngjan atij të studentëve të lartpërmendur, me parullën “Poshtë
ballkanasit!” ose “Në djall ballkanasit, bashkë me ëndrrën e tyre europiane!”.
Kam qenë gjithmonë kundër këtij lloj cinizmi, të shoqëruar me ca erëza nazike, për t’u bërë më i
përtypshëm. Ne jemi këtu për tjetër gjë. Në radhë të parë, për të bërë të kapshme idenë se ç’është
përparimi i njerëzimit, pjesë e të cilit është përparimi ynë ballkanik.
( 3 nga 11 )
4. Ne me vështirësi po ndahemi nga ca ëndrra të marra, ca misionarizma qesharake. Ne e kemi vështirë të
kuptojmë se s’ka popuj misionarë në Ballkan dhe s’besoj të gjenden të tillë kurrkund. Se misionarizmi
grek, që e ka mendjen ende te çlirimi i Kostandinopojës, është po aq qesharak sa ai serb, që synon
distancën Beograd-Tokio, dhe se po aq, në mos më qesharak se këta të dy, ka qenë misionarizmi
shqiptar për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit në shkallë planetare.
Tabloja e gadishullit sot, sa ç’duket e ndërlikuar mund të jetë e thjeshtë. Në Ballkanin e tkurrur, të
sotëm, pas vetëtërheqjes së Sllovenisë e të Kroacisë (nganjëherë Rumanisë gjithashtu i duket se është
tërhequr), janë tre popuj që e mbajnë veten dhe, me sa duket, ashtu janë vërtet, si më të pashmangshmit:
grekët, shqiptarët, sllavët. Nuk janë vetëm tre popuj bashkë në zonat e veta, por janë tri qytetërime, me
tri kultura, me tri gjuhë (madje secila me alfabetin e vet: latin, cirilik dhe grek). Ballkanet nuk mund të
përfytyrohen, qoftë dhe pa njërin prej këtyre përbërësve. Të ngulur prej shekujsh në këtë rajon të
Europës, ekzistenca e asnjërit prej tyre nuk mund të kushtëzohet prej tjetrit. Në rast ndërlikimesh, me
hir apo me pahir, jemi të detyruar të merremi vesh.
Ju duket një vizion i zymtë? Mendoj se ajo që kemi përjetuar para ca vitesh nuk ka qenë më pak e
frikshme.
Që t’i kthehemi një vizioni më shpresëdhënës, duhet thënë se një drejtpeshim ka qenë vendosur
megjithatë historikisht në Ballkan. Sot, në kushtet e Bashkimit Europian, tutor i pranuar prej të gjithëve,
ky drejtpeshim është shumëfish i siguruar.
Që të rikthehem te treshja drejtpeshuese ballkanase: greke, sllave, shqiptare, besoj se jeni në një mendje
me mua se askush nga këta tre popuj, për asnjë arsye e për asnjë rrethanë nuk mund të shkulet prej
gadishullit problematik. Gjithë puna është që kjo të kuptohet. Pra, pyetja mund të shtrohet thjesht: a
kuptohet kjo?
Është lehtë të thuash po. Ndërkaq, më vështirë është që të guxosh të zbresësh në thellësi, për të gjetur
rrënjët e së keqes dhe kjo jo për të ringjallur mllefe të vjetra, por për t’i prerë ato.
Ka një doktrinë në Ballkan, një draft të vitit 1938, që kërkon haptas dëbimin e njërit prej këtyre tre
popujve prej gadishullit. Ky draft është shkruar prej një akademiku të njohur me emrin Vasa
Çubrilloviç dhe titullohet: “Dëbimi i shqiptarëve”.
Në këtë program, bashkë me idenë se jeta e kombit serb nuk do të ishte e sigurt asnjëherë përbri
shqiptarëve në Ballkan, e vetmja zgjidhje jepej dëbimi i këtyre të fundit. Ky dëbim duhej të niste me
shqiptarët e Kosovës.
Ka shumë vite që e kam lexuar këtë draft. Nuk di ndonjë rast që të jetë dënuar në Jugosllavi e më pas në
ish-Jugosllavi. Një projekt kriminal i padënuar është më i rrezikshëm se një organizatë e fshehtë
terroriste. Më 1999, pra 60 vite më pas, gjithë bota pa vënien në jetë të këtij projekti: “dëbimin e
famshëm” të shqiptarëve, çka ishte edhe shkaku që Jugosllavia u ndëshkua.
Dënimi i rrënjëve të së keqes është i detyrueshëm për të gjithë. Në qoftë se do të zbulohej një doktrinë e
ngjashme në vendin tim, në Shqipëri, do të pranoja publikisht jo vetëm turpin për mosdënimin e saj, por
edhe turpin për vonesën e dënimit.
( 4 nga 11 )
5. Pyetje 6. Të kthehemi te keqkuptimet, te roli i shkrimtarëve. Ju keni pasur rastin të njiheni me
shkrimtarë nga ish-Jugosllavia, serbë, kroatë, malazezë. Keni folur me ta, keni këmbyer mendime.
Ç’mund të na thoni më tepër?
Me sa duket, shkrimtarët gjithashtu nuk janë engjëj. Nuk përjashtohet që në zona të tilla pasionante si
gadishulli ynë, ata gjithashtu ndonjëherë mund ta humbin orientimin. Po e theksoj fjalën ndonjëherë.
Pra, është fjala për humbje të përkohshme dhe asnjëherë për orientim themelor. Nuk e kam pasur të
vështirë të takoj shkrimtarë jugosllavë, të flas me ta, madje kam pasur miqësi, si në rastin e më të
njohurit prej tyre në Perëndim, Danilo Kish. Jemi miqësuar qysh në vitin 1984, në një forum
ndërkombëtar shkrimtarësh. Në atë kohë, Titoja kishte vdekur, kurse E. Hoxha ishte ende gjallë. Danilo
Kish përfaqësonte shkrimtarët jugosllavë, unë ata shqiptarë. Ndërkaq, armiqësia shqiptaro-jugosllave
ishte në lulëzim (nëse fjala “lulëzim” mund të përdorej për armiqësinë). Kjo nuk na pengoi të
miqësoheshim, aq sa, gjatë një shëtitjeje me anije, një koleg francez apo gjerman tha se nuk po u
besonte syve që një shkrimtar shqiptar e një jugosllav kishin më shumë se një orë që jo vetëm bisedonin
si dy miq, por edhe buzëqeshnin.
Një tjetër shkrimtar me të cilin kam këmbyer pikëpamje, por pa u takuar kurrë, ka qenë Vuk
Drashkoviçi. Mund të them se aq sa ç’jam marrë vesh me Danilo Kishin për gjithçka, po aq s’jam marrë
vesh me Drashkoviçin për asgjë. Një letër e hapur e tij, e vitit 1987, në gazetën “Le monde
diplomatique” të Parisit, ka qenë hapja e një polemike pesëmbëdhjetëvjeçare, ndoshta ende të
pambyllur sot midis nesh. Drashkoviçi, me sinqeritet, siç thoshte, si kolegu kolegut, më këshillonte të
hiqja dorë nga pikëpamjet e mia për çështjen e Kosovës, shkurt të hiqja dorë, sipas tij, prej ashpërsisë,
rebelëve, prishësve të paqes, shkatërruesve të kulturës, vrasësve të Pushkinit (!) etj., etj. Përgjigjja ime,
pa qenë ndonjë model i elegancës, ishte në kundërshtim të plotë me të. Në fund, shkrimet tona
mbylleshin me shpresën se Europa do të besonte njërin dhe nuk do të besonte tjetrin. Në të vërtetë,
ashtu edhe ndodhi.
Midis këtyre dy rasteve të skajshme, kam njohur shkrimtarë të tjerë të ish-Jugosllavisë, me pikëpamje të
njëjta ose të kundërta me të miat. Shkrimtari më asnjanës, ai që, si të thuash, qëndronte në mes, ishte
Milorad Paviç. E kam takuar disa herë, por ai fliste aq pak, saqë ishte e vështirë t’ia kuptoje qëndrimin.
Në krye kam menduar se ruajalistët, si ai, flisnin zakonisht pak. Pastaj kujtova se ndoshta nuk bisedonte
me mua për shkak të etnisë. Kur një koleg gjerman na prezantoi më në fund, ai tha veç një fjalë: “ju
njoh”. Por edhe fjalë mund ta merrje si të doje, për mirë ose për keq. Me një fjalë, asnjanësi e pastër!
Pyetje 7. Me ç’mënyrë mund t’i ndihmojmë këta dy popuj që të zgjidhin konfliktet e tyre? Përse
artistët dhe shkrimtarët nuk shërbejnë si ndërmjetës (urë) ndërmjet tyre?
Siç e thashë edhe më parë, letërsia mund të ndihmojë, por ajo ka nevojë për një kuptim bazik të gjërave.
Çështja është sa e ndërlikuar, aq e thjeshtë.
Kosova është një vend i banuar nga një shumicë shqiptare. Dihet se në planetin tonë, vendet, trojet,
qytetet nuk përcaktohen as nga drurët, as nga kaprojtë, as nga ndonjë shenjë tjetër që ndodhet sipër tyre,
por nga njerëzit. Shkurt, toka dhe njerëzit mbi të shkojnë bashkë. Kosova banohet nga shumicë
shqiptare, rrjedhimisht, në të gjitha kuptimet ajo konsiderohet në radhë të parë shqiptare.
( 5 nga 11 )
6. Ndërkaq, ka një vizion që e kundërshton këtë. Sipas tij, Kosova është serbe, pavarësisht se njerëzit i ka
shqiptarë. Te kjo mospërputhje e ka burimin gjithçka. Për fat të mirë të njërës palë dhe për fat të keq të
tjetrës, mospërputhja është e pandreqshme. Ka qenë një kohë kur ajo lejohej, por ajo ishte koha e
kolonive. Siç e dimë, ajo kohë ka vdekur përgjithmonë. Kosova ishte një koloni, një absurd i fundit në
Europë. Ndaj dhe Europa ndërhyri me vonesë, por brutalisht, për të normalizuar një gjendje, koha e së
cilës kishte mbaruar.
Që të kthehem te mospërputhja: tokë-njerëz. Për ta përligjur atë është shpenzuar shumë energji, diçka
për të cilën ballkanasit janë mjeshtër. Nuk është vendi në këtë intervistë për trajtimin e këtij ndërlikimi,
që ende vazhdon. Fillon me rrënjët, më saktë me çështjen kush ka ardhur i pari në Ballkan e kush pas
tij. (Me fjalë të tjera, ardhësi i parë të përcaktohet si zot i ligjshëm i truallit, e i dyti të shkojë ku të
dojë!) Sa për argumente, këto ishin çështja e Kosovës si djep i Serbisë dhe kujtimi i luftës së Kosovës
1389. Të dyja lidheshin bashkë, por për të tjerat ishin jo fort bindëse. Trualli ku është bërë një betejë,
qoftë edhe fatale për një popull, nuk mund të përcaktojë, qoftë edhe pjesërisht “djepin” e tij. Po të
kujtojmë historinë e Europës, betejat më të mëdha janë bërë zakonisht në troje të huaja, betejat e Cezarit
për shembull, ose Waterlo-ja, pa përmendur mongolët, të cilët ku ngryseshin, nuk gdhiheshin. Në rast të
tillë, bota e sidomos Europa jonë do të kishte kaq shumë djepe, saqë do të bëhej lëmsh. Veç kësaj,
beteja e famshme e Kosovës nuk është ajo që mësohet në një pjesë të shkollave të Ballkanit. Thelbi i saj
është ndryshuar për t’ia përshtatur politikës së sotme. Janë ndryshuar, për shembull, pjesëmarrësit në
aleanca, kush luftonte kundër kujt, që është thelbi i një lufte, e kështu me radhë.
Motivi i dëbimit të një populli, i projektuar qyshkur, i padënuar asnjëherë, u shfaq lakuriq, i mbështetur
në mënyrë skandaloze edhe tek ajo luftë, në kohën që duhej të ndodhte e kundërta: lufta e vitit 1389
mund të ishte baza e një miqësie historike.
Pyetje 8. Zoti Kadare, ju keni qenë dakord për ndëshkimin e Serbisë?
Po. Dhe ende sot ruaj të njëjtin mendim. E di që këto fjalë mund t’ju duken jo të njerëzishme, sidomos
në gojën e një shkrimtari, por para se të nguteni, më dëgjoni deri në fund.
Ndëshkimi i Serbisë ka qenë një dramë dhe si të tillë e kam menduar qysh në fillim. Më lejoni të
përsëris diçka që kam përshtypjen se e kam thënë një herë. Kam qenë duke dhënë një intervistë direkt
në TV-in shqiptar nga Parisi, pikërisht në kohën që nisi bombardimi. Kronika mund të gjendet lehtë, pra
mund të vërtetohet. Gjatë intervistimit, gazetarja befas e ndërpreu të folurën, për të thirrur: ah, sapo
erdhi lajmi, atje, në Serbi, ranë bombat e para… Dhe aty për aty shtoi: Ç’mund të thoni tani, në këtë
çast, si një koment i parë… z. Kadare? Fjalët e mia të para ishin: kjo më trishton, shpresoja tjetër gjë.
Kjo ka qenë ndjesia e parë, jo veç e imja, por e përgjithshme. Asnjë shenjë triumfalizmi nuk pati në
Shqipëri dhe, besoj në Kosovë, për këtë bombardim. Njerëzit ishin të shqetësuar, dhe ishte logjike. Do
të kishte shkatërrime, do të kishte të vrarë, pa dyshim. Serbë në radhë të parë, por edhe shqiptarë. Gra
dhe fëmijë, midis. Dhe prapë nga të dyja anët, ashtu siç edhe ndodhi në të vërtetë.
Pyetjen ma kanë bërë disa herë gazetarët në ato ditë të paharrueshme. Arsyetimi im ishte ky:
bombardimi ndëshkues ishte, pa dyshim, diçka tepër e trishtueshme. S’ishte e lehtë për një shkrimtar të
thoshte “po” për një bombardim të tillë. Aq më tepër që të tillë deklaratë do ta bëja në Paris, e më pas
në Strasburg.
( 6 nga 11 )
7. Por bindja ime nuk mund të ndryshonte. Përpara nesh po kryhej vërtet një gjë mizore, një bombardim
nga ajri, por ky veprim i skajshëm mizor, po bëhej për të ndaluar diçka më të skajshme dhe më mizore:
një masakër. Kështu u gjykua ajo që po ndodhte në Kosovë. Për ca rrethana tragjike, kjo ishte e vetmja
mënyrë për të ndaluar të keqen. Historia e njerëzimit rrallë, tepër rrallë, ka njohur një bombardim të
pashmangshëm, të nevojshëm. Por historia e njerëzimit nuk ka njohur kurrë një masakër të nevojshme.
Ndaj, në mungesë të një zgjidhjeje tjetër, me shumë dhembje do të lejohej përdorimi i bombave.
Ky ka qenë arsyetimi im.
Pyetje 9. Mendoni se popujt e Ballkanit kanë nxjerrë mësime nga këto konflikte pa fund?
Popujt ndoshta. Për elitat s’jam i sigurt. Sidomos ato politike. I ashtuquajturi emancipim i tyre është
tepër i ngadaltë, për më tepër i cekët, shpesh i rrejshëm.
Disa prej tyre mund të ndryshojnë stilin e të shprehurit, por thelbin kurrsesi. Për shembull, tani ata
s’guxojnë të brohorasin për “spastrim etnik”, por kjo s’pengon të thonë: “nuk e lëmë Kosovën!”
Ç’do të thotë kjo shprehje? Ç’ndryshim thelbësor ka shprehja “dëbimi i shqiptarëve” nga “nuk e lëmë
Kosovën”?
Kjo shprehje do të thotë se “ne nuk pranojmë përbri nesh një popull tjetër”.
Këto deklarata nuk janë ato të bregliqenit Wansse të 1942-it, por bëhen në mes të Europës së sotme,
madje në prag të diskutimit për pranimin e Serbisë në EU. Nuk e di nëse zyrtarët e lartë europianë,
baronesha Ashton për shembull, për të përmendur vetëm njërën prej tyre, janë në dijeni të këtij
patetizmi.
Keqkuptimet e thella kërkojnë zgjidhje serioze dhe jo sa për të larë gojën. Pyetja që shtrohet sot përpara
një vendi ballkanik (në këtë rast, Serbisë) është: a e njeh ajo fqinjin shqiptar?
Nëse e pranon, le ta njohë menjëherë. Nëse nuk e pranon, le të parashtrojë zgjidhjen e saj. Një Kosovë
serbe? Por Kosova ndërkaq, siç e thashë, për nga njerëzit është shqiptare. Për nga toka është planetare.
Për nga kujtimet serbo-shqiptare.
Pyetja shtrohet fare thjesht: Ç’do të bëhet me shqiptarët sipas zgjidhjes serbe? Të kthehen në serbë? Të
ikin? Të dëbohen? Ja, pra, u kthyem te fillimi me bomba.
Jam i bindur se mendimi i heqjes dorë nga xanxa (obsesioni) i Kosovës është i pranishëm në shoqërinë
serbe. Kjo është një gjë pozitive. Kjo është në të mirën dhe vetëm në të mirën e Serbisë. Është koha për
një zëvendësim idesh. Më parë në një pjesë të Ballkanit përdorej shprehja çlirimi i Kosovës nga Serbia.
S’është ndonjë çudi që tani të thuhet çlirimi i Serbisë prej Kosovës. Prej brengës për të, prej pengesës,
prej pezmit, prej gjumit të prishur.
( 7 nga 11 )
8. Është jashtë çdo dyshimi se do të ishte pozitive njohja pa ngurrim e Kosovës. Madje, do të kishte qenë
edhe më mirë sikur Serbia do të kishte qenë e para që ta bënte një gjë tillë!
Ju mund të qeshni, por e kam seriozisht. Disa vite më parë ndodhi një ngjarje, jo fort e komentuar, por e
rrallë në historinë e moralitetit botëror. Portugalia, ish-sunduese e një vendi të vogël, Timorit Lindor,
pati një ndarje aspak idilike me të. Megjithatë, pas pavarësisë së Timorit, kur erdhi puna që ky i fundit
pati një problem të brendshëm dramatik, Portugalia ishte e para dhe e vetmja që, midis shpërfilljes
botërore, dha alarmin. Më shumë se një javë, shteti, Parlamenti, gjithë shoqëria portugeze, u ranë
kambanave që bota të ndihmonte ish-koloninë e saj. Portugalia e bëri këtë duke ndier një borxh moral
për vendin që e kishte sunduar dikur.
Krahasimet janë zakonisht të pasakta. Dy shtetet ballkanike, i vjetri, Serbia, dhe i riu, Kosova, e kanë
më lehtë mirëkuptimin, qoftë edhe për arsyen se, ndërsa Portugalinë e ndanin nga Timori Lindor mijëra
kilometra, Serbinë nuk e ndajnë nga Kosova veç disa hapa. Dhe veç kësaj i përkasin të njëjtit kontinent
europian.
Pyetje 10: T’i kthehemi sërish pyetjes, cilat mund të ishin mënyrat e daljes nga ky ngërç?
Njohja e së vërtetës. Në fundin e mijëvjeçarit, në Ballkan ndodhi një dramë. Kur një dramë mbaron, që
ajo të mos përsëritet, fill pas uljes së perdes, duhet të ndodhë shqyrtimi i ngjarjes. Shqyrtim do të thotë,
në radhë të parë, dënimi i fajit. Procesi kulmon me shqyrtimin e ndërgjegjes, çka do të thotë, me brerjen
e saj, pra me pendimin.
Në rastin e konfliktit të fundit ballkanik, procesi, për fat të keq, u ndërpre në mes. U ndëshkua faji me
anë të bombave, por thelbi, ndërgjegjja fajtore, pothuajse nuk u prek.
Pyetje 11. Cilat janë fajet e të dyja palëve në këtë konflikt? Fajet e serbëve, fajet e shqiptarëve?
Ndryshe nga ç’mund të mendohet, nuk e kam fare të vështirë të flas për gabimet dhe fajet e shqiptarëve.
Në mendimin shqiptar, në shtyp, në botime, në librat e mi, duke përfshirë edhe këtë të fundit, është
folur kaq shumë për to, saqë mund të krijohet përshtypja se një nga mjeshtëritë që shqiptarët njohin më
mirë është ajo e gabimeve.
Në rastin e Kosovës, jemi të detyruar të jemi veçanërisht seriozë. Ndodhi një ndeshje e rreptë jo midis
shtetit shqiptar dhe atij serb, por një ndeshje e këtij të fundit me shqiptarët e Kosovës, pra me gati një të
tretën e kombit shqiptar. Kjo është veçantia e parë e kësaj lufte: një shtet kundër një popullsie, ose po të
doni, një popullsi kundër një shteti.
E gjitha kjo s’mund të përmblidhet në ca fraza drejtpeshuese të tipit: të dyja palët kanë kryer prapësira.
Ky simetrizim nuk fsheh veç një racizëm të tërthortë, që i fyen të dyja palët: ç’mund të pritej nga një
kacafytje ballkanikësh (për të mos thënë tribush).
( 8 nga 11 )
9. Drama e Ballkanit meriton një shqyrtim të thellë dhe kjo aspak për të poshtëruar ndonjërin prej
popujve, por përkundrazi, për respekt ndaj të gjithëve, duke përfshirë natyrisht edhe popullin serb.
Drejtësi, në radhë të parë, do të thotë përpjesëtim. Përpjesëtimi i fajit, i goditjes, i kundërgoditjes
hakmarrëse e kështu me radhë. Secila palë të përgjigjet për krimet e veta. Ju kujtoni se kam ndonjë
arsye të më dhimbsen kriminelët e vendit tim? Po ju them të kundërtën: janë ata që më së shumti e kanë
dëmtuar dhe po e dëmtojnë vendin të cilit i përkas, kulturën, gjuhën në të cilën unë shkruaj.
Kemi ardhur këtu te thelbi i çështjes: hetim ndaj gjithkujt për gjithçka.
Pyetje 12. Jam e bindur që ju e kuptoni fare mirë ndjeshmërinë e veçantë të serbëve lidhur me
monumentet kulturore në Kosovë. Dhe ju e kuptoni, pa dyshim, dëshpërimin që shkaktoi djegia e
tyre.
E kuptoj fare mirë dhe ju jap të drejtë. E keni fjalën për kishat serbe në vitin 2004. Së pari, pa asnjë
lëkundje po them se ishte një akt monstruoz. Ndërkaq, po aq pa lëkundje po shtoj se përpara se të jetë
një akt antiserb, ai ka qenë, në radhë të parë, një akt antishqiptar. Ishte goditja më e rëndë që iu bë
Kosovës së lirë. Ishte një përpjekje për ta ftohur Kosovën me Europën, me gjithë aleatët perëndimorë.
Për t’i bërë jehonë tezës së Millosheviçit se shqiptarët e Kosovës nuk luftonin për liri, por për besimin
fetar. Për të shkaktuar tek europianët pendim për ndërhyrjen në Kosovë.
E kam dënuar qysh në minutën e parë këtë barbari. Shumica dërrmuese e kombit shqiptar, kudo që ai
ndodhej, ishte logjike që do ta dënonte dhe ashtu ndodhi vërtet. Qeveria e Kosovës kërkoi ndjesë
përpara opinionit ndërkombëtar dhe mori vendimin e menjëhershëm për rindërtimin e kishave të
djegura.
Ndërkaq, për një habi të madhe nuk kam dëgjuar të bëhet ndonjë hetim për këto djegie kaq të bujshme.
Hetimi dhe kapja e fajtorëve do të ishin shumë të rëndësishme. Nga pala shqiptare u hodh dyshimi për
një provokacion të rëndë. Historia jep shumë shembuj për provokacionet e shkaktuara me anë të djegies
së tempujve.
Një zhurmë jo më të vogël ka shkaktuar çështja e trafikimit të organeve. Për këtë ka një hetim, por ai po
zvarritet. Jam i sigurt se shqiptarëve normalë nuk do t’u vinte fare keq të kapeshin e të dënoheshin ca
djegës kishash fanatikë, ose ca sadistë a psikopatë që merren me trafik organesh. Si në çdo popull,
midis shqiptarëve ka provokatorë, mjafton të kujtoj vrasësit e dy aviatorëve amerikanë në Frankfurt. A
mund të përfytyrohej që shqiptarët do të miratonin shqiptarin kriminel që vrau dy ushtarakë aleatë, nga
ata që ndihmuan Kosovën?
Ndërkaq, hetimi dhe dënimi i krimeve nuk mund të bëhet jashtë një vizioni të plotë të dramës. Bota
është tmerruar nga 800 foshnjat shqiptare nën pesë vjeç, të vrara me thikë gjatë konfliktit. Të dhënat e
botuara në shtypin anglez dhe francez nuk janë të ndonjë shqiptari, por të gazetarit serb, Miroslav
Filipoviç. Nuk po zgjatem me mijëra përdhunimet, me tmerre të tjera.
Procesi duhet të bëhet ndaj gjithkujt, për gjithçka.
( 9 nga 11 )
10. Pyetje 13. Keni folur disa herë për ndihmesën e kulturës në të gjitha këto çështje. Por kohët e fundit
jeni kritikuar në shtypin shqiptar për një qëndrim jo luajal ndaj gjuhës serbe.
E di këtë gjë. Për t’i thënë gjërat haptas, jam kritikuar për diçka, e cila, edhe po të ishte pjesërisht e
vërtetë, tingëllonte kaq monstruoze, saqë do të më njolloste me turp për tërë jetën. Nuk do të merrem
me shpifjen vulgare të dy zuzarëve shqiptarë. Mjafton t’ju them se jam një shkrimtar i njohur botërisht,
dhe nëse do të lëshoja andej-këndej thënie të tilla raciste, do të më ishin mbyllur dyert gjithkund.
Kam nderim për gjuhët e njerëzimit, sepse ato janë, veç të tjerash, atdheu im i dytë, në të cilin unë jetoj
natyrshëm, ashtu si midis popullit tim. Një arsye më tepër është se, si përdorues i gjuhës shqipe, të
vetmes gjuhë në Europë, që u ndalua me dekret prej shtetit osman, kam një dhimbsuri të veçantë, gati
gjenetike, për të. Kjo ndjesi vetvetiu është shtrirë mbi gjuhët fqinje, të cilat, edhe pse më pak se shqipja,
kanë përjetuar kufizime prej të njëjtit pushtues.
Për shkak të rusishtes, që e njoh mirë, ngaqë kam qenë student në Moskë, kuptoj pak serbisht. Më lejoni
t’ju them se si profesionist, pra si njohës i universit gjuhësor, midis familjes së gjerë sllave, e çmoj
serbishten si një nga idiomat më të përshtatshme për rrëfimin letrar. Sipas meje, kjo ndoshta vjen nga
përkitja e hershme e kësaj gjuhe me përmasën misterioze, transcendentale, që antikiteti gjuhësor i
gadishullit e ka pasur me tepri.
Pyetje 14. Në veprën tuaj, ju keni shumë motive antike, si dhe një libër për teatrin grek, të përkthyer
në disa gjuhë të botës. Raportet e Shqipërisë me Greqinë fqinje, kanë qenë nxitëse apo frenuese në
këtë rast?
Përgjigje 14. Raportet kanë qenë përgjithësisht frenuese, si gjatë komunizmit, ashtu dhe sot, pas rënies
së tij. Shqipëria me Greqinë nuk kanë qenë asnjëherë fqinjë shembullorë. Popuj të vështirë, mosdurues
ndaj njëri-tjetrit, të pamësuar të bëjnë lëshime, që i janë përgjigjur ashpërsisë me ashpërsi, krekosjes me
krekosje, racizmit me racizëm. E megjithatë, nuk i përmenda këto për t’i bërë jehonë klishesë së njohur
për ballkanasit e pandreqshëm. Do të besoja të kundërtën. I përmenda këto për të thënë se, pavarësisht
këtij acarimi shekullor, logjika e jetës i ka çuar këta dy popuj drejt një ideje shpëtuese që u përmend në
fillim të kësaj interviste. Ideja shpëtuese është bindja se asnjëri nga këta dy popuj nuk e shkatërronte
dot tjetrin. Heqja dorë prej iluzionit të mbrapshtë të mposhtjes së tjetrit, kaq qenë hapi më i madh drejt
pozitivitetit në Ballkan.
Sa për motivet antike në veprat e mia, qoftë gjatë komunizmit, qoftë pas tij, ato nuk janë trajtuar për të
ndrequr punë politikisht, e aq më pak për të prishur. Letërsia botërore është vetvetishëm pozitive,
ndërtuese. Si shkrimtar jam veçanërisht i ndjeshëm nëse në një ceremoni zyrtare të një vendi fqinj do të
mallkoheshin shkronjat e alfabetit që përdor. Kjo ka ndodhur, por kjo s’më krijon asnjë ndjesi negative
ndaj letërsisë antike të këtij vendi. Përkundrazi, edhe ajo vetë, dy mijë e ca vjet më parë, e ka dënuar
këtë barbari të ardhshme. Ndaj unë, dhe jo vetëm unë, por të gjithë ne, shkrimtarët e sotëm ballkanas, e
quajmë, e ndiejmë letërsinë antike si aleaten tonë të madhe kundër mbrapshtisë.
( 10 nga 11 )
11. Pyetje 15. Në një intervistën tuaj ku keni folur për admirimin tuaj ndaj letërsisë antike greke, pyetjes
se a do të mund të shkruanit, po ta sillte rasti, diçka të ngjashme për poezinë e fqinjëve serbë, i jeni
përgjigjur pozitivisht. Madje keni shtuar se do ta konsideronit një gjë të tillë si një përkryerje të
ndërgjegjes suaj krijuese. I përmbaheni ende sot këtij pohimi?
I përmbahem plotësisht. Ndoshta kjo përgjigje do të shkaktonte një nënqeshje mosbesuese. E
megjithatë, po e përsëris pohimin tim. Unë shpresoj se në këtë zonë të Europës, do të vendoset më në
fund qytetërimi europian. Dhe atëherë as pyetja juaj e as përgjigjja ime nuk do të tingëllonin befasuese.
* Lista e librave sipas autorit: Ismail Kadare - http://www.shtepiaelibrit.com/store/sq/4__ismail-kadare
Burimi ne Web: http://globisot.org/clirimi-i-serbise-prej-kosoves/
Solli n`këtë formë: www.facebook.com/marjan.dodaj
( 11 nga 11 )