Ibrahim HAJDARI, Disertacion du DEA, Université de Liège Belgique
Vellimi poetik "Koha ne eklips"
1. Ibrahim Hajdari
Koha në eklips
(Poezi)
SHTËPIA BOTUESE
« MJELLMA »
Verviers, Belgjikë
(Përgaditur për shtyp: Korrik 1993)
Maj 2004
2. Redaktor :
JAKUP CERAJA
Lektor :
RAGIP SYLAJ
Ballina dhe radhitja kompjuteristike:
Mjellma design
Me respektin më të madh për mikun, kolegun dhe atdhetarin
Jakup Ceraja, i cili nuk është më në mesin tonë!
Autori
2
3. Odë përjetësie
të thahesh në erë shkretëtirash
e të mbetesh i njomë
të verbohesh në dy sytë
e të shohësh me syrin e tretë
ta pështyesh tjetrin në fytyrë
e të lagesh vetë
ta zhdukësh urrejtjen
duke mos urrejtur
ta vrasësh dëshirën e fundit
e të kridhesh në det dëshirash
të çmendesh në humnerë pyetjesh
pa gjetur përgjigje
ta gërmihësh brendësinë tënde
në zbrazëti të strukesh
të mungosh për së gjalli
së vdekuri të jesh
të shkrihesh e bëhesh fluskë
e të shpërthesh si përbindësh
ta prekësh fundin e oqeanit
e të dalësh i terur
ta mbërrish fundin e fundit
e të mbetësh në fillim të fillimit
të shpërbëhesh qelizë më qelizë
e të çirresh me sa zë ke
UNE NUK JAM MË
3
4. « Ne nuk mundemi kurrë ta tejkalojmë diellin, as edhe ta ndjekim
nga pas, por ne mundemi ta bartim atë përherë në zemër. »
Carla Pols
4
5. KRONIKË ANONIME
(Somnulenca)
Në epitafin e gdhendur me germa fizike të qenies së
materjes, vargu i buruar nga Muzat e intruzuara në njejësin e vetës
së parë (ekzistenca egocentrike), shpreh aktin pak të kuptueshëm në
dimensionin trefishor. Ndonëse përpunimi i ligjërimit poetik mbetet në
margjinat e relativitetit kozmik, kapërcyell ngërthen në fizicialitetin e
materjes sintagmën absolute të prezencës së përbotshme: ”isha, jam
dhe do të jem - atje, këtu e ngjeti”, si një prani e përhershme, si këtu
pranë meje ashtu edhe aty pranë teje. Por, se a mbetet i përbotshëm
edhe ligjërimi poetik si një vizion i prodhuar nga kompleksiteti
ndërtruror, varet nga perceptimi i kufirit mes artit poetik si ekzistencë
e qenies fizike dhe artit poetik si nus produkt i botës metafizike, siç
mbetet i përbotshëm përgjatë devotshmërisë edhe vet shpirti, si një
“mekanizëm” që fut në lëvizje çdo gjë, që shohim apo nuk shohim,
për t’i dhënë pastaj shtytje të pandërprerë edhe përsoshmërisë së
ligjërimit të artit poetik.
Duke qenë në labirinthet materiale të tredimensionales,
pra, duke aktivizuar vetëm VETDIJËN si kufi të plafonit vertikal,
ligjërimin poetik e kuptojmë si domosdoshmëri të natyrshme
të çlirimit të ndjenjave dhe emocioneve të akumuluara në
kutinë e vogël të trurit me kapacitet të paskajshëm...
5
6. Renditja nuk ka rëndësi
Valët e detit
duken të qeta
si puhia e këtij para agu
që hyn nga xhami
i thyer i dritares
dhe lëkund pasqyrën
e varur në murin
plot myk e merimanga
Zbrazëti shkretinore
Mungesë inspirimi
Befas
dielli nëpër xham u thye
dhe si në eklips
dështoi këtë mëngjes:
askush nuk zgjohet
Një gur u përplas në dhomë
dhe e theu pasqyrën
bashkë me portretin tim të përgjumur
pasqyrën dhe mua
mua dhe shëmbëllimin tim në pasqyrë
renditja nuk ka rëndësi
(i përflakur zgjohem në mëngjes
heronjtë e ëndrrave përreth meje...)
çdo mëngjes zgjohem i përflakur
përreth meje heronjtë e ëndrrave...
Renditja nuk ka rëndësi
Nuk ka rëndësi renditja
Rëndësi renditja nuk ka
7. Himni i poezisë
Ia mora një yll qiellit
nga gjerdani një yll të artë;
dhe ia vura poezisë,
poezisë sime në ballë.
Ia shkëputa një copë Diellit
nga ai prush - një copë të zjarrtë;
dhe ia vara poezisë,
poezisë sime në qafë.
Ia vodha pak behar pranverës
aromës së blertë - pak behar;
dhe e vesha poezinë,
poezinë time me nektar.
Ia mora zogut një cicërimë
nga kënga e pafundme - parodi;
dhe ia fala poezisë
poezisë sime melodi.
Ia hoqa atdheut pak mallë
me një copë balte në gji,
pak mallë, pak flijim;
dhe ia dhashë poezisë,
poezisë sime kushtrim!
7
8. Ia mora gurrës
një grusht ujë
të kulluar me sitë
bjeshke të fjetur;
dhe i dhash poezisë të pijë,
poezisë sime të etur.
Ia ndava Vales një copë zemre
nga strofulla e pemës bli,
një copë t'përflakur, o bukuri;
dhe ia dhurova poezisë,
poezisë sime dashuri.
Ia mora foshnjës pak vaj
në ninullë lotin t'ia tret' ;
dhe e bëra poezinë me vaj,
poezinë time në djep.
Ia mora, ia shkëputa,
ia vodha, ia këputa...
lëngimin dritës nga errësia,
vargut rimën qetë-qetë...
O zot,
a ka fund poezia,
poezia ime - J E T Ë?
8
9. Kronikë anonime
Bari mbi gur
Lumi mbi urë
Dita në natë
Deti pa valë
Dimri në vjeshtë
Pa rrush në vreshtë
Vera në pranverë
Pranvera në verë
Disa njerëz edhe kështu
I llogarisin punët
Me vlerë e pa vlerë
9
10. Pritje
katër hapa
deri te realizimi i ëndrrës
deri te dita e re
një e katërta e ëndrrës
deri te agimi i ditës së re
edhe një çerek ore
edhe katër minuta
çerekun e minutit
deri në fund të çerekut
10
11. Bisedë e papritur me bustin
Ti rri mes pishash
të larta ngjyrë gri
që mbinë në antikën hyjnore
Unë i veshur laraman
jashtë konturave të ekzistencës
së mitit për kandilin e fikur
Ti rri aty ku rrinë heshtakët
dhe ata që vetëm shikojnë
lëvizjet e diellit ag e terr
Unë rri mëtanë botës sate
si papagall i zhuritur venitem
gjurmëve të anatemës sime
Ti pushon i qetë nëpër mote
se vole frytet në pergamenën e djeshme
dhe mbolle farën e mëngjeseve të sotme
Unë endem në humbëtirat e vargut
për të vjelur fjalët e mbetura peng
dhe porosinë e formës sate të ngurtë
11
12. Fluturimi i mjellmës
A mos je Feniks
profet i shenjtërisë,
përgjues legjendash
priftues i lashtësisë?
Mos t'u lodhën flatrat
që t’i rrahën stuhitë,
antikitetin modern
a ta mësuan Tri Furitë?
Puplat e mëndafshta
mos të janë thinjur,
nga pesha e pafat
mënxyrë e jetës së fikur?
Dole nga miti qëmoti
fantazmë në natën e përhënur,
dhe u fute në lëmshin e nxirë
shakullinë e fijës së nemur.
Ç’hije e zezë të vagëllinë
mbi purpurin tënd ditënatë!
Strofull kërkon në qiell
ku s'ka kuotë, s'ka koordinatë?!
A mos je Feniks
profet i shenjtërisë,
përgjues legjendash
priftues i lashtësisë?
12
13. Njerëzit në peshojën e jetës
1.
(pësimi i pafajshëm)
Mosmirënjohësit,
më shpejtë e harrojnë
vdekjen e të atit
sesa humbjen e pronës atërore
Hipokritët,
më parë ua tregojnë njerëzve
rrugën për në varr
sesa fytyrën e vet të vërtetë
në të cilën shëmbëllen
buzëqeshja hipokrite
Tinzakët,
nuk mund të kënaqen
në mënyrë të ndershme
pa u shkaktuar
të tjëreve padrejtësi:
i ikin rrezikut
dhe e lakmojnë fitimin
Në këtë jetë lëmshi
pa fill e pa fund
do ketë një çikë vend
për njeriun e urtë?
13
14. 2.
(ikja nga gënjeshtra e bukur
apo
Bota e Dashurisë)
Nuk ekziston
njeriu i cili urren,
por vetëm urrejtja
e cila lehtë futet
në unin e
mosmirënjohësve
hipokritëve
tinzakëve
prej nga shpërthen jashtë
Dhe, nuk ekziston
njeriu i cili dashuron,
por vetëm dashuria
të cilën lehtë e përvetësojnë
njerëzit e mirë
për ta rrezatuar jashtë vetes
brenda botës sonë
Sot
në këtë rremujë botërash
psë të ekzistojë urrejtja,
kur ekziston N j e r i u
kur ekziston D a s h u r i a ?
14
15. Kulla e Babilonit
Më jepni një gur
një copë bjeshke t’shkallmuar
të ndërtoj urë
breznive shkëlqim - nur
kala mbi lumë
puhizë jete t’valëzuar
fontanë t’ylbertë si gurrë.
Më jepni një ushtë
nga Troja e rrënuar
dhe zjarri mbi prush,
t’ua kthej t’praruar
grushtin e bashkuar
me miliona duar.
Më jepni një sy
Ciklopi t’verbuar,
t’ua kthej të dy
si Zeusi me hyj,
e ta mbyll në dry
mjerimin e mallkuar.
Më jepni pak aromë
filizash me behar
sa s’është bërë vonë
vetëm pak aromë,
t'ua kthej përplot
zemrat me nektar.
Më jepni pak dritë,
pak dritë, pak qiell
t’kristaltë, t'kthjelltë
t’ua jap një Diell
që kurrë s'di të shtjerrë...
Më jepni,
më jepni,
në këtë kohë zezonë
sa s’është bërë vonë
sa s’është bërë vonë...
15
16. Vargje pa adresë
Era shkulte barin kur frynte me dënesë
zërin bartte ajri, skutave përshkohej jehonë
lëshuat sirtarët humbur rrugëve pa adresë
dikush hapi dryrin por ishte shumë vonë
Fluturuat kohëve sot vajtët diku
dikur pranë ju kisha, në letër, ja këtu
ku t’ju kërkoj tash, vërtet s’di se ku
Mos ju barti era diku në veri
atje ku akulli kurrë nuk shkrin?
Apo ju mashtroi puhia e jugut të nxehtë
rrugën e pakthimit mos e zgjodhët vet?
Më kot mundoj trurin letra mbetet bardh
asnjë fjalë s’e lidh, s’e gjej asnjë varg
kur humb poezia, ç’mbetet tjetër vallë?
16
17. “Të fantazosh, do të thotë ta vizatosh një ylber mbi përditshmërinë
tënde.“
Ruth Mayer
17
18. KAFKA NË ITAKË
( K a t a l e p s i a )
...Duke kaluar në një nivel më të lartë shpirtëror, në një
gjendje krejtësisht të re ku zhduken Koha Hapësira Fizika e ku na
shfaqen si në tablo akuareli ekzistenca vetëm e së sotmes (jam, jam dhe
vetëm jam) apo edhe e asaj translatives kurioze te pahapësirë: jo atje, as
andej, as përtej, as ngjeti por: këtu, këtu dhe vetëm këtu; do të fitonim
një përkufizim filozofik fare të ri, të palogjikë (logjika këtu pushon së
ekzistuari) dhe mbi të gjitha të pashpjeguar me gjuhën e cilitdo krijues.
Në këtë ambient ku zhduket Vetëdija dhe lind Ndërdija si
postulacion komunikativ me irracionalitetin (jo)hapësinor, ligjërimi
poetik merr konfiguracion shumë më vertikal duke u mbushur në vrimat
dhe poret e lëna bosh në vetëdije. Ai sakaq shfaqet si një ushqim i
patjetërsueshëm, gjithmonë i freskët dhe i shijshëm pa të cilin Ndërdija
mbetet e uritur, pikërisht siç ishte Ambrozi i cili nuk i linte perënditë e
Olimpit të mplakeshin. Arti poetik ndërkaq, do ta mbante shpirtin të ri, të
freskët dhe me plot forcë, si dje kur isha, sot kur jam ashtu edhe nesër
kur do të jem.
18
19. Përshëndetje
nga lugu i Drinit
e ndava një fllad Kosove
xhepat e shqyera
i arnova me lecka malli
baltën e bërrakës ia mbatha këpucëve
mbi vizëllimën e rrejshme të fatit
në dorën e djathtë
valixhen e mbusha vaj nëne
e në të majtën
grushtin plot lajthitje shpresash
kokën stërngarkuar me Itakë
Lisit të Dodonës një syth ia vodha
në kutinë e trurit
Kosovën e bëra palë - palë
e shtëpinë time përdhese
e vizatova në kapakët e syve
në nisje të misionit të dhunshëm
vetëm jehona m'i ngacmoi veshët:
HASTA LA VISTA
Në mërgim, nëntor '94
19
20. Nata mbi Rajnë
Një copë terri të vetes sime
e hodha tej bregut të errët
të Rajnës së zezë e të uritur
për ta kapërdirë mendjen time
qe nuk i lë rehat as valët
dhe as pulëbardhat
që sonte duken katran.
Hëna e plotë në qiellin e perhimtë
dhe hëna e valëzuar në Rajnën e zezë
sikur thërrasin lugetërit e kësaj nate.
Mesnatë. Fiks fare.
Një grumbull mjellmash
miklojnë puplat e mëndafshta
dhe presin përbindëshin e natës
siç pres unë mëngjesin e vrarë.
1001 netët e ferrit
m’u shfaqën në ekranin e hënës së plotë
ku hahej darka e fundit e Luciferit
dhe luhej lirshëm vallja e lugetërve
sepse mëngjesi ka bërë vetvrasje kaherë.
Në brigjet e Rajnës,
Nentor '94
20
21. V a l l j a e V d e k j e s*
Erërat e Aulidës Kakusi romak
Kentaurët e çartur hingëllimat barbare
Villnin blozë e zjarr ushtarët perandorakë
Nën diellin e nxirë mbi toka të të parëve
Hidhte era rërë plazhi
Tej shkumës së bardhë të Adriatikut
Ku luhej akti i mbijetesës
Akti solemn mes jetës e vdekjes
Dridhërimë përreth logut të betejës
Ndriçim bebëzash ndër Mesapë
Jehona s’ndalet gjaku kullon
Shkëmb më shkëmb greminës kasandrike
Përplasej zëri i këngës heroike
Gra e vajza dorë më dorë
“Vallen e vdekjes” hidhnin tok
Në një cep të Ilirisë
Luhej epi i trimërisë
Hëna mbushte muzgun shqim
Tek rrëshqiste qiellit tatëpjetë
Prapa kodre numëronte në vegim
U skuqën valët: shtatëqindeshtatëdhjetë...
Por s’ndalej kënga s’ndalej ritmi
As vargu i gjatë i ritualit ilir
Që priste në radhë aktin e mbijetesës
Në shkumën e skuqur të Adriatikut
për ta lozur nesër Vallen e Jetës
* Në historinë e traditës shqiptare gratë mesape (fis ilir), pas betejave, në të cilat
burrat kishin rënë heroikisht, kapeshin dorëpërdore, këndonin dhe loznin tok
VALLEN E VDEKJES, dhe vetem për të mos rënë në duart e armikut, hidheshin,
secila me radhë, në greminën e thellë të shkëmbinjve te Adriatikut..
21
22. Antinjeri
Të gërryen brejtësit, gati fare u trete
Besnik i arushës ishe, besnik dhe sot mbete.
Ta shtruan rrugën me thumba e gjemba
Po ti s’ndieje dhimbje në shputa as thembra.
Me çekan të hekurt të binin në kokë
Por të trashë e kishe dhe s’ta linte dot.
Mollëzat e fryra, barkun mbushur plot
Buzët nga yndyra të shkëlqejnë dhe sot.
Të ndrydhën të shtrydhën deri në pikë të fundit
Si lëvozhgë limoni të hodhën në fund të pusit.
Mos ke humbur rrugën, ku ndodhesh tash, vallë?
Me gjithë mend e ke, të vihesh prap në ballë?
Besnik ishe dje, besnik mbete sot
Por Gjyqit të Madh nuk i shpëton dot!
Ke ndërruar pamjen, por je më i zi
Rrugën për në ferr, vetë e zgjodhe ti!
22
23. Simfonia e natës
më të gjatë
Nata sonte është e qetë
zërat humbin n’errësi
hëna, yjet - qielli vet
vargëzojnë këtë poezi.
I humbur fare më kot pres
gjeli këngën të fillojë
idhëca mbushur sa s’pëlcet
vallë, kjo ditë a do agojë?
Mbushur vrer e mbushur pezm
ndërroj pamjet në fytyrë
mbushur zjarm e mbushur helm
më kthehet jeta në mënxyrë!
Pikoj djersë si i ndrydhur
brenda hirit të kësaj nate
tkurrem fort si i shtrydhur
shpalos kohë e ndesh në fate.
Fate njerëzish të uritur
për kafshatë e dashuri
fate shpirtërash të zhuritur
që hynë dhunshëm n’këtë simfoni.
Nata sonte është e çalë
shoh asgjë pos lapsit tim
që mbi letër shënon vrragë
dhe vargëzon këtë poezi.
Endem zgjuar anatemës
që e thurra me mallëngjim
shtegtar në cepin e kësaj letre
ku e struka shpirtin tim
23
24. Apo ti, o hënë e ndritur
që mes yjesh je e parë
pse si trung i venitur
mbetur jam sot i tharë?
Ngrysem prap këtë natë korriku
kthehem shtegut tim në kreshtë
verë është, por vera iku
natë e zezë u kthye në vjeshtë.
Një breshër, vetëm në një rresht
sonte këtu do ta hidhja
nga brenda do nxjerr një tërmet
këtë vrasës nate do ta dridhja!
Dhe prap endem i humbur fare
të kërkoj pak dritë n’këtë terr
ndër djerrinat e kësaj nate
s’gjej gjë tjetër, veç mister.
Lodhur jam me fjalë paganësh
gjymtyrë të mpira - më dhemb çdo ind
stërngarkuar me retorikë bastardhësh
por...Feniks mbes: sa vdes lind!
Gëzohu natë në këtë shtrojerë
me gjahun në rrjetë merimange
shpejtë do të t’tretin rrezet n’pranverë
kur të trokasin n’timen dritare.
S’gjen dot strofull në Parnas
kur të vdesësh natë e lashtë
bashkë me Diellin do themi pas
vajti terri, ndjesë pastë!
Nata sonte është e qetë
zërat humbin n’errësi
hëna, yjet - qielli vet
vargëzuan këtë poezi...
24
25. Kafka në Itakë
Itaka s’lindi vetëm në Itakë
Itaka s’jetoi vetëm në Itakë
Itaka s’shtrihej vetëm në Itakë
Itaka s’copëtohej vetëm në Itakë
Itaka s’dëneste vetëm në Itakë
Itaka s’humbi vetëm në Itakë
Itaka s’qe vetëm Itakë
Itaka s’mbeti vetëm Itakë
Në Itakë shkonin vinin në Itakë
Kafkën e shkelnin e shtypnin në Itakë
E lashtë Itaka strukur në Kafkë
Kafka e lashtë mbërthyer në Itakë
Por s’vdiste Itaka jetonte në Kafkë
Itaka e Kafka - Kafkë Itakë
25
26. Sekreti
Kur të njoha vetëm unë
të mbaja në dryrin e zemrës
Kur të njohu edhe një tjetër
të njohën njëmbëdhjetë
Po të të njohë edhe tjetri
do të të njohin njëqindenjëmbëdhjetë
26
27. Robëria
Ai që robëron të sotmen
do të jetë
rob i së nesërmes
As ai që për robëri punon
nuk do të shpëtojë
nga e nesërmja
27
28. Peizazh Kosove
Përditë shqipja sqepin mpreh
Në fole strukur
Endet kreshtave syshigjetë gjersa e thërret
Strofull e mbushur
Tok me lumin rrëshqet fushës ku e pret
Luginë e bukur
Derdhet dielli rrezeartë çdo skutë nget
Si saç i skuqur
Shtojzovallet dallëndyshet fluturojnë
Në puhizën e pranverës
Vijnë pëllumbat me ta zogjtë cicërojnë
Në ëmbëlsinë e erës
Lëkunden gjethet kudo bletët pjalmin thumbojnë
Thithin nektarin e jetës
Pikojnë pemët vreshtat plot këngët jehojnë
Muzgjeve të vjeshtës
28
29. Zgjimi në tri akte
(Akti i parë: BUBULLIMA)
Jeta sakaq shuhet, jetë për t’i thënë
Pa ia marrë gëzimin as pa ia dhënë
Çdo gjë mori sot pamje idilike
Pa e pyetur fare: ku vajte? si ike?
As malet as grykat nuk gjëmojnë si dikur
Se jeta u zhvesh - u bë asht e lëkurë
Ngazëllyeshëm e lozim vallen e uratës
Pa vështruar djallëzitë e shtrigave të natës
Mjaft u ngopem në rolin e spektatorit
Pa e shijuar kurrë vetflijimin e aktorit
Në fyt na ngulfati bloza e zezë futë
Që çdo ditë e thithëm pa e hetuar kurrë
Deshëm pa vetdije të mbështetemi për mur
E pastaj të pyesim: si kështu? kur?
Malet t’i bëjmë fusha e fushat të plleshme
Rrjedhat e lumenjve mos të derdhen në dete
Qiellin ta zbresim poshtë, ta puthisim me kokë
Ndërsa Diellin me Hënë këtu pranë, në Tokë
Yjet, pa një pa dy, t’i fshijmë me një gomë
Natën ta shporim njëherë e gjithmonë
Sall dritë të çiltër natyra do të sjellë
Pa eropcione-bjeshka më s’do vjellë
Përmbi gur e shkrepa, në pyje e rrafshinë
Lart në qiell të payje, ku dhe nata mbet virgjinë
U mpleks zëri në hapësirë dhe u tret diku në grykë
Kot mundohesh ta kuptosh se u ngjir më parë në fyt
S’bënë jehonë as fushamale siç nuk bëri jeta vet
Ndali koha për t’u dukur ndonjëherë aty ku mbet
Sot më kot kërkojmë Dritë kur ne vetë vendnumërojmë
Jashtë bubullin - e ne brenda mugëtirës mbëltojmë
Veç për një kafshatë goje vejmë e vijmë kohës sonë
S’ka dyshim - vdes arti, vdes kultura - po kush rron?
29
30. ( Akti i dytë: SHTRËNGATA )
Se një zë rënkon, gjëmon, ushton në shkretëtirë
As ndryshon as demarkon as buçet në të mirë
Por shumë pisha që lartësohen permbi re
Bëjnë oazën e së ardhmes - thurrin kurorën e re
Robër fjalësh të pathëna dhe Judë shekujsh u bëmë
Pa respekt për gjeografi, kurorën kokës vetë ia vëmë
Nganjëherë vrasim mendjen pse filizat huqin pranverën
Asnjëherë nuk pyesim veten: sa i ujitem dimrit a verës?!
Zemrat janë përplot plagë që pikojnë si dje dhe sot
Mos t’i ligjërojmë historisë se na mallkon për jetemot
Na vizatuan, fotografuan në retrovizorin ndërkombëtar
Këtej e tej Atlantikut, mbërthyer për kryqi mëkatar
Vyshket bari i pranverës, humb gjelbërimi, vdes natyra
Tetëdhjetenjëherë LAVDI revolucionit me shumë ngjyra
Gurgullima sperkat çerdhen ku rritet Shqipja e kreshtës
Freskon ballin e djersitur me verën e vreshtës
Amanetin përkundin djepat, ndër ninula jeton i gjallë
Asnjëherë mos të harrojmë se jemi NJË por të NDARË!
30
31. ( Akti i tretë: LOJA ME PRANVERËN )
Çdo pikë gjaku që qëndis kuqezi në palë flamuri
Si medalon hijeshon krahërorin e çdo burri
Fryma e fundit nuk del dot nga palca e tradhëtisë
Por nga zjarri ndezur flakë kur japim besën e miqësisë
Jo si qyqe, lebetitur, kulm mbi kulm të lëshojmë kukamë
Se na mallkojnë dhe të tjerët, humbim fis edhe farë
Megjithatë, ora ngec, ka defekt maje Olimpi
Zbresin tufanët për të hyrë në kope - por koha iku
Jeta del krejt e zhveshur, si paçavër e hedhur moti
Të urrejmë pritjen! Drejt FITORES - na thotë Zoti!
Më e mira ndër fitoret është çlirimi i shpirtit tonë
Aq më parë kur zhuzhijnë tytat - qielli na ra mbi kokë
Siç Lindim, ashtu vdesim - nokturno - në Dheun e Zi
Ndalemi. Ecim. Ndalemi... Symbylltas hapërojme shtegut të ri
Çdo fije bari, çdo luleborë, që stolis stinët e jetës
Thurr gërshetë drejt altarit të së mirës, jo së keqës
Ndër lugina e djerrina shiu i vëngër mbuloi shtratin
Sikur fjala kur ndjek fjalën, bisht pas bishti - hap pas hapi
Pa konvertime emocionesh që intruzohen në kutinë e trurit
Jemi mbështetur ne për të - prapa nesh është vetëm muri
Me instikt e konfuzion nuk na zgjidhet kurrë nyja
Por me vetënjohje, largpamësi - jo veç njëra, por të dyja!
Shkurt '92
31
32. Dostojevski në tryezën e sotme
E ndrydhur thellë në bërthamën e zemrës
Përpëlitet zvarrë gjurmëve të këngës së parë
Acari siberian i ngrin majat e thembrës
Por s’ndalet Natalia me ndërgjegje të vrarë.
Së bashku drekuam një pasdite me shi
Në tryezën e mbushur racion të gënjyer
Ku ngritnin kokën Alosha Princi e Neli
Me mbishkrim në ballë Të Poshtëruar e Të Fyer
M’u duk njëherë se më sulmoi Bjelinski kritik
Kur e rrëmbeva nga racioni gjellën me zor
Mbështeti shuplakën mbi kopertinën në zgrip
Mosni ju lutem, pikërisht Vëllezërit Karamazov!
U sfidua atebotë kur lindi revolucioni
Me dekada mjegullash, me pesë e gjashtë
Më kot kërkoje porosinë e dorës së ngritur
Në bustin e shtangur të Avenysë së Shtatë.
I vrerët ishte qielli atë pasdite gushti
Në gostinë me personazhet e përjetshme
Që vetë ndezin zjarrin me gaca prushi
Dhe vetë fikin dritat e jetës së rrejshme.
Bronzi i tij kthjellur i përgjon motet
Despotin e Carin sot si kurrë t’avancuar
Pjellën karpatike përbindëshin që s’kotet
Në tokën time të shenjtë - Krim i Padënuar.
Eja të ngrejmë dolli në këtë ngulfatje tymi
Si dje, kur mbillej farëzeza, ashtu edhe sot!
Vitet shkuan e erdhën siç ishin, të mjera
Nuk sollën gjë tjetër, veç flakë e barot!
Maj' 92
32
33. Zia e ditës
Sot nuk gdhiu dita me kohë
Dielli harroi t’ju bie këmbanave
Dhe e thithi blozën e idhtë të mjegullës
Pa çarë kokën për rrezet e dritës
Shiu dhe rrëbeshi s’kanë të ndalur
Në gjiun e tokës së ngirë me baltë
I lutem Zeusit t’i bëj të fala Heliosit
Të kthejë më në fund në tokën e nëmur
Lugina e ferrit na i qiti sytë jashtë
Thellë në greminën e djajve me shpatë
Dhe lugetërit lirisht mbi koka na vallëzojnë
Kohë mëngjesi është por gjelat s’këndojnë
Pse na harrove Diell, ç’faj të kemi bërë?
Amshimin na dhurove, zili mos na ke?
Kur të lamë vetëm? Ti ne na le!
Këtë ditënatë me mjegull, shi, shtrëngatë...
33
34. Antitezë
Një ditë mori udhë ta pështyjë veten
por fryu era dhe i pështyu të tjerët
E dinte mirë se gënjeshtra ekzistonte
andaj e shpiku të vërtetën
Përmes gënjeshtrës kishte ngritur pluhur
sepse e vërteta s’u tha në kohë të duhur
Pastaj kur e mori tërsëllimë tatëpjeta
zbuloi se pak thuhen të vërtetat
Dhe mbolli farën e gënjeshtrës
për të mos e pështyrë vetveten
34
35. Para ndërrimit të motmoteve
Mos i cakëroni gotat sonte, o miq
na ka mbetur edhe një pëllëmbë tokë
që t'i mbështesim veshët për dhè
për të dëgjuar trokun e kalit të bardhë
na ka mbetur edhe një simfoni
e qeshjes së madhe të shpirtit
Mos e ngritni dollinë sonte, o miq
se dasmën e kemi nesër
Në rropamën e kujtimeve të këtij viti
ujitur jemi me lotët e dhembjes krenare
e ne të ngrejmë dolli?!
...mosni sonte, o miq!
Mbrëmë ëndrrova agun e ditës së re
gjithë natën e lume
mbeta zgjuar nga gëzimi
Prizren, 31. Dhjetor '90
35
36. “Dashuria është një lule që mbinë kudo, pa e mbjellur, dhe jo një
lule e kultivuar në kopsht.”
Ippolito Nievo
36
37. FENIKS I HUMBUR
( E k l i p s )
Jetoj në shtjellën e spiraltë të inkubatorit krijues, ku edhe
ajri është i okupuar. Pranvera ka kohë që mëton ta zbardh zymtësinë në
horizont, që ka shpërthyer kaherë. Por, bardhësi nuk ka.. Çdo gjë është
ngërthyer në paskajshmërinë e errur mes detit dhe qiellit. Aty ku vetëm
pjella e mugëtirës mund ta bëjë folenë.
Jeta megjithatë, lë gjurmët e veta damarëve të kohës. Edhe
të djeshme, edhe të sotme. Bukuria mbetet e përjetshme vetëm nëse në të
kanë mbetur të përjetshme gjurmët e buzëve të jetës. Si dëshmi e vetme e
këngës injoruese të gjelit të parë: për një ag më të bardhë, më të ndritur.
“O gjel i mëngjeseve të kobshme! Kur ti këndon,
thonë se është afër dita… Sot e ndjeva zërin tënd!...”.
37
38. Rrugëtimi i parë vertikal
1. (Lindja vertikale)
Ajrin kur thitha s’pari sikur përbiva helmin
Dhëmbë s’kisha ta përtypja dheun e shkriftë
Saktësisht s’më kujtohet kur së pari lëshova zë
Natyrës së mjegulluar në prehër ders iu bëra
Padashje me shputa shkela sipërfaqen e zgjebosur
Me sy vodha horizontin me pamje vertikale
Sikur ta dija ninulën e bjeshkëve krenare
Me ëndje do ta këndoja simfoninë e lindjes
Por trashëgim s’e kisha as nga i pari as nga i mbrami
Nuk ma mësoi gjyshi as stërgjyshi anatominë e artit
Në margjinat e kohës vet e gjeta - i zhveshur fare
Përcëllimi i diellit dhe vaji kumbues i bilbilit
Vertikalisht më veshën në rroba vargu. . .
38
39. 2. (Metamorfoza Vertikale)
Vertikalisht më veshën në rroba vargu
Jo për të humbur por për t’u kthyer në vete
Në labirinthin e origjinës sime kalova
Gjersa rrahjet e shpirtit i kuptova si etje
Si kurrë më parë këtë e ndjeva atëbotë
Pa u kthyer në vete i shtrova gosti shpirtit
Në piramidën e lashtë me mbishkrim Homeri
Ku rritet tashmë dhe skifteri i anatemuar
I kreshtave të shpërlara me lëngje limfatike
S’di a vdesin klithmat e të uriturve ndjenjash
Apo edhe ato mbijetojnë rënkimet e kohës ekliptike
Për të falur mëkatet e hershme para Judës
Ngaqë mallkimi për çdo ditë pëson metamorfozë
Në mes saj dhe vertikales endet shpirti im
3. (Jeta vertikale)
Në mes saj dhe vertikales endet shpirti im
Del ditëpërditë për ta kërkuar veten
Dhe gjithmonë zbulon diçka krejt tjetër
Në pasqyrën e jetës autoportret zhubravitës
Shqetësim, lemeri në damarët e mbushur pezm
Rivalët më rrethuan me kamxhikë gladiatorësh
Në vallen e tyre e futa veç trupin material
Për ta hulumtuar galaktikën e jetës vertikale
Njërën lëkurë e zhvesha dhe e hodha si zhangë
Pasi u struka në strofullën e sigurt të artit
39
40. 4. (Dashuria vertikale)
Pasi u struka në strofullën e sigurt të artit
Dhe ndjeva freskinë e blertë të puhizës
Tinëzisht përgjova miklimin e frymëzimit
Tek ma përshkonte organizmin e dehur heshtjesh
Tash vras mendjen për rrugëtimin tim të parë
Ku hasa në pjerrtësinë e rrugës vertikale
Ku pasha besën e pasha nderin më pruri dashuria
Jo Afërdita e Dionës as Adonisi i Mirrës
Por kumbimi i vargut dhe arti i shpirtit
Presim dhe kurorëzimin në rilindje a gjetkë
Në përcëllimin e diellit dhe vajin e bilbilit
Në gurgullimin e gurrës dhe frymimin e natyrës
Në lumin e kuq që rrjedh tremijë e sa vjet
Ku me pamje vizuele shoh siluetën time. . .
Si duket i rashë në gjurmë rrugëtimit tim të parë
Gati u ktheva në vete pa u kurorëzuar akoma
40
41. 5. (Dënesje vertikale)
Gati u ktheva në vete pa u kurorëzuar akoma
Kudo shtegtova - deri në palcën e misterit arrita
Pa zbuluar asgjë të re veç gjurmë të reja lash
Që reliktet e kohës të jenë modele baladash
Për jehonën e Zanave të Parajsës së nesërme
Nuk është lehtë të dënesesh mbi relikte
Në këtë rrugëtim të pakrye e plot zbrazëti
Dhe të presësh kurorëzimin e materjes me inspirim
Pa dashur thith frytin e epsheve shpirtërore
E ndez zjarre e zjarre në çerdhen e këngës
Për t’i ikur mallkimit me dënesje vertikale
Vazhdoj prandaj rrugëtimin tim të parë
Vertikalisht të flas zemër me zemër gojë me gojë
Gjersa hija e vdekjes e përmort trupin
6. (Vdekja vertikale)
Gjersa hija e vdekjes e përmort trupin
Jam ëndërr futur nën qepallat e rënduara
E kujtoj nisjen time vertikale
Për t’ju gostitur me vargje e vargje
E kujtoj rrugëtimin tim të parë
Për të arritur në togun e xixave hyjnore
E kujtoj ajrin e arsenosur në thithjen e parë
Për ta zbërthyer simfoninë e të qenit gjallë
E kujtoj horizontin me pamje vertikale
Që vertikalisht të ec edhe përtej jetës
E kujtoj. . . e kujtoj. . . e kujtoj. . .
Të kaluarën e stuhishme me peizazhe vjeshte
41
42. 7. (Amshimi vertikal)
Ajrin kur thitha s’pari sikur përbiva helmin
Dhëmbë s’kisha ta përtypja dheun e shkriftë
Përcëllimi i diellit dhe vaji kumbues i bilbilit
Vertikalisht më veshën në rroba vargu
Ngaqë mallkimi për çdo ditë pëson metamorfozë
Në mes saj dhe vertikales endet shpirti im
Njërën lëkurë e zhvesha dhe e hodha si zhangë
Pasi u struka në strofullën e sigurt të artit
Si duket i rashë në gjurmë rrugëtimit tim të parë
Gati u ktheva në vete pa u kurorëzuar akoma
Vertikalisht të flas zemër me zemër gojë me gojë
Gjersa hija e vdekjes e përmort trupin tim
E kujtoj. . . e kujtoj. . . e kujtoj. . .
Të kaluarën e stuhishme me peizazhe vjeshte
Për t'i ngelur besnik Diellit Bilbilit Artit
Si dje si sot edhe nesër Gnothi Seauton
Prizren, Tetor '91
42
43. Feniks i humbur
endacak i verbër ndër djerrina mitesh
strukur në andralla vorbullës së kohës
as klithmën e parë pa kuptuar kurrë
në ç’kohë e ç’vend e shënoi natyra
cili është shtegu, a ekziston Itaka
a ka lindja emër apo asgjë nuk lindi
mbase u shfaq diku dhe dikur qëmoti
nëse vërtet lindi shpirti i Feniksit
kur do të vdes Jeta kur do të vdes Toka
rrugët janë të ngushta dhe pa trotuarë
në oazën e vetënjohjes të gjitha nuk shpiejnë
veç dy kthesa has - e treta jam vet
ku më vajti ora ta lexoj kujtesën
dhe ashtu suptil të kthehem në ëndërr
në një tjetër kohë në një tjetër jetë
ku s’do të jam i humbur as pa koordinatë
dhe çdo çast do të ndihem sikur në Itakë
43
44. Lind me vdekje
Duke parë pa sy
Duke dëgjuar pa veshë
Duke nuhatur pa hundë
Duke folur pa gojë
Duke ecur pa këmbë
Duke shkruar pa duar
Vdes çdo ditë nën dallgë
Dhe çdo ditë kthehem në jetë
Sepse në dashuri
Ka fare pak dallim
Në mes vajit dhe këngës
Në mes jetës dhe vdekjes
44
45. Protestë moderne
(njeriut që akoma s’ka ardhur në jetë)
Fjalisë ndoshta nuk do t’i vësh pikë
siç i vumë ne këlthitje, dje e sot,
a do ta ndalësh vajin tonë triptik
apo imazhit të vrazhdë do t’i japësh hov?
Fytyrën komike a do t’ia falësh pasqyrës
siç ia falëm ne, Narcisë të shëmtuar?
Po pluhurin syve, në mëshirë të mënxyrës
do ta lësh si ne, Ciklopë të verbuar?
Zërin e ndërgjegjes, a do ta bartësh prore
apo do ta lësh të humbur në shkretëtirë?
Ahengjet, dëfrimet, akoma humbje kohe
do të duken katarsë, që shpiejnë në mugëtirë?
Në konjukturën e kalbur, a do fshehesh
si ne, o imzot, me imagjinatë të trishtuar?
Dialogun e marrë, në Sinaj do ta shpikësh
për t’u dukur zhgëndërr, ëndrra e trilluar?!
Thinjat e kokës, a do t’i miklojë brenga
për një kokërr kripë, për një kafshatë jetë,
apo edhe ty do të lëngojë zemra
për një çikë nder, për një çikë respekt?
45
46. I përbaltur, i përjargur, a do të dukesh,
në bërrakën e turbullt a do të pëlcet,
apo në urnën e hirtë do të strukesh,
pa lënë gjurmë, hi do bëhesh vet?
Në obsesion jetë, a do sillesh vërdallë
siç u sollëm ne, labirintheve plot frikë,
apo çdo gjë, do të duket përrallë
larg së vërtetës, mbërthyer në patetikë?
Koleksionin e relikteve, a do ta lësh të qetë
apo do ta shtosh për një ekzemplar?
Dafrunga Hyjnore, a do thurrësh përjetë,
apo, si ne, do shqyesh kalendarë?
Si do ta pagëzosh epitafin e mikut tënd:
me një varg, një fjalë, një shkronjë. . . ?
Si do ta rimosh porosinë e gjallimit,
si do ta mbyllësh të djeshmen në gëzhojë?
Çdo të thuash për ne, ç’fjalë do të kesh,
vetëm se lindëm dhe vdiqëm njeherë?
Apo do të dhimbset ditari ta shkruash një rresht,
në sirtarët e harresës, do t’na lësh përherë?!
46
47. Koha në eklips
Strukur ishte shpirti, së pari në mineral,
Veshur dikur natyra, përdhunshëm pa gjelbërim,
Shihja vegimin e ëndrrës ngarkuar mbi funeral,
Frymëmarrjen e tokës përgjoja, thellësive oshëtimë.
Koha sakaq zhdukej, hapësira zihej në zgrip,
Rilindem për së dyti, natyrën gjej në eklips.
Ngritur jam befasisht në kërcellin e një bime,
Stolisur filizash, aromë Flore fund e krye,
Rrënjët përgjojnë tokën, si dielli kurorën time,
Gjersa u vyshk njëherë dhe më nuk u kthye.
Koha sakaq zhdukej, hapësira zihej në zgrip,
Rilindem për së treti, natyra sërish eklips.
Përdredhur brenda shakullinës, spirales sillem vet,
Trupi mish e kockë i humbur pa origjinë,
Gërrithje ethe kafshësh në botën që sot i përket,
Në sipërfaqe mbërrive, në qiell kur do mbërrin?
Koha sërish vajti, hapësira mbeti në zgrip,
Ngjallem për së katërti, s’shoh gjë veç eklips.
Mbyllur në kafazin me prush zemre të ndezur,
Flakën e kësaj jete me shpirt njeriu e mbaj në gji,
Mos e ngjall urrejtjen se të dua heshtur,
Gjurmo përreth vetes, kërko pak NJERI!
E nxirë shfaqet jeta kur ngrysesh në bimë,
Kur zhvesh ligësitë nga mëtimi i lumturisë,
Vdes e ngjallem pa hequr vellon e dashurisë,
Gërshetë për ta thurur himnin e LIRISË.
Udhëtim botërash përshkuam, si unë edhe ti,
Një emër tani kemi, do mbesim gjithmonë NJERI?
E sotmja rrokullis çdo gjë, e nesërmja trajtën jep,
Jo siç duam ne, por siç e ke gdhendur vet!
Koha pres të tretet, hapësira të zihet në zgrip
A do arrij në qiell apo do mbes përjetë eklips?
47
48. Pesimistit
Kur sëmuret jeta nga melankolia
shpresën mos e humb për shërim
se do mbetesh i verbër jo nga pleqëria
T’i hidhesh territ në qafë duhet
për t’ia zënë frymën heshtjes
se ashti i guximit në shpresë ruhet
ku ruhet dhe ilaçi i shërimit të vetvetes
48
49. Optimistit
Nëse të pyes për vdekjen
do t’më thuash jam i pavdekshëm
Nesër menatë, do të vishet natyra
me gjethet e blerta të stinës së jetës
E në majen e kurorës solemne
do të sfidohet statuja e figurës sate
Kur dritat fiken rrugëve të jetës
t’i ndezësh duhet dhe aty ku s’janë
gjithmonë besnik i shpresës dhe besës
se që të dyja një kuptim kanë
49
50. Në kapakët e guaskës
Shtrihem i vetmuar diku në thellësi.
I padefinuar,
vetëm fosil i qenjes njerëzore.
I gropuar diku pa dritë e pa ajër.
Koha nuk ekziston.
Fate të njëllojta me gjallesat e kësaj toke.
Në kapilarët e zverdhur
S’ka më adrenalinë.
Prapa nesh sërish të njëjtit numra.
Vështroj.
I pafuqishëm ta ndryshoj
ngurtësimin e natyrës së zbehur.
Njërën valë e tërheq tjetra.
Të gjitha së bashku - tallase të tëra.
Pres derisa dikush t’m’i numërojë
rrahjet e zemrës.
Tik - taku i fundit ka çrregulluar ritmin.
Netët e përjetshme ma shtangën trupin.
U fikën dritat e fundit të ekzistencës.
Prej shpirtit tim
vetëm iluzionet bredhin në univers.
Shenja e parë dhe e fundit
që kam ekzistuar.
50
51. Në natyrë materjet rrokullisen.
E njëjta katastrofë
edhe për alkiminë bashkëkohore.
As sa një thua vazhdoi përpara.
Po ku, ju lutem,
ku më mbetën emocionet?
Lëshomëni.
Dua ta gjurmoj veten.
Lërini ëndrrat dhe këngët e mia.
Kthimi në Itakë është episodi i mbramë.
Sërish do shtrihem diku në thellësi.
Do mbes pa dritë, pa shpresë e pa ajër.
Të tjerët le t’ma ndiejnë
ritmin e çrregulluar
derisa zemra t’më pushojë së rrahuri.
51
52. Nokturno
"Si mund ta njohim vdekjen
kur akoma s’e njohim jetën?"
Konfuçi
Lindja nuk lind
vetëm sa për të lindur:
lindja lind edhe për të jetuar.
Jeta nuk jeton
vetëm sa për të jetuar:
jeta jeton edhe përtej jetës.
Jeta e përtejme
nuk banon në vdekje:
lindja banon në jetë
jeta banon në vdekje
vdekja banon. . .
52
53. Dielli në ferr
asgjë më shumë se një stuhi, asgjë
t’i shpërlaj djersët e ballit të mekur
e rrëbeshi t’m’i marrë mëkatet e vobekëta
që ta kryej në qetësi
lutjen e fundit, o imzot
në tempullin e të vuajturve ndjenjash
asgjë më shumë se një çerdhe, asgjë
ta ngroh shpirtin e mërdhirë
nga ngricat e kësaj nate të mallkuar
ndoshta buzëqeshja ime e mbramë
do ta nxjerr diellin
nga ferri i unit tim të trazuar
asgjë më shumë se një zemër gjak, asgjë
t’i ushqej damarët me curril shpresash
e të përjargem plazmë në hundë e gojë
derisa ta vjell duhamën e fundit
mbi kufomën e eterikut tim
që më rri lugat nën qepalla
vetëm një grusht dhê, asgjë më shumë
ta varros fjalën e lënë peng
dhe ritualin e artit solemn të durimit
pa kuptuar pse dielli banon në ferr
vazhdoj pa pra ta përsëris
duvanë e gdhirjes së mëngjesit
o imzot!
53
54. “E vërteta është si drita, ajo shkëlqen gjithmonë. Gënjeshtra,
përkundrazi, është si perëndimi i diellit, i cili i zbukuron gjërat
vetëm për një çast.“
Albert Camus
54
55. T E S T A M E N T
( Z g j i m i )
Përfundimisht, çdo ligjërim për artin poetik fillon me
apologjinë e së vërtetës, të thënë a të pathënë, e përfundon me irealen
misterioze, por jo gjithmonë të paprekshme dhe të pakuptueshme për
kutinë tonë të vogël trurore.
Për të mos ekzistuar absolutizimi i së paprekshmes por
relativizimi i pasqyrimit subjektiv të realitetit objektiv, do të ndihmonte
një pohim i E. Roterdamit: ”Njerëzve më tepër u pëlqen një
gënjeshtër e hijshme se sa një e vërtetë e shëmtuar”.
Pa e mbllaçitur fare hijeshinë e gënjeshtrës, por gjithmonë
duke e zbërthyer dhe njohur shëmtinë e së vërtetës, tezën e njohur për
njejësin e vetës së parë që ka zënë të mbijë në njeriun modern, do ta
sublimonim deri në një ligjërim poetik të çiltër e të mirëfilltë ku do të
dominonte shumësi i vetës së parë.
55
56. As në tokë as në qiell
Fërgëllimë në tokë
Fërgëllimë në qiell
Mbushu frymë thellë
Mos u ngjit në diell
Zgjidhe shtegun tënd
Dil nga mjegulla shtjellë
Nuk sheh se je peng?
Merr frymë thellë, thellë. . .
Buzëqeshjet e humbura
Zbuloji, ku të vanë?
Për pak frymë në ajër
Shpirti ende të qanë!
Mos u frikëso fare
Frymë merr thellë
Gjurmo përreth vetes
Mos u struk në shpellë
56
57. I lirë fluturo
Kaltërsive - vet
Si flutura në ajër
Si peshku në det
Ç’idhull kërkon lart?
Ç’zot fshihet në qiell?
Në tokë ke çka ke!
Në ajër merr frymë thellë
Çdo gjë që sheh e prek
Që është e s’është e kotë
Përbën jetën tënde
Që jetove dje dhe sot
Çdo gjë që ndien e (s’)kupton
Që merr e s’merr vesh
Përbën jetën tënde
Që nesër do ta kesh
Sa më larg tokës
Mos u ngjit në qiell
Harro se kush je
Në ajër merr frymë thellë
Ulqin, gusht ’93
57
58. Poezi e reinkarnuar
Në intermecon e përgjumur
të brendisë mistike të shpirtit
ishe strukur kushedi se kur
mbuluar me pluhurin e urnës sime
Rastësisht të zbulova
mes simboleve të universit
në transin posthipnotik
Kur të shkruaja moti
në prologun e antitezës së huajtur
kapërcyell shfaqej Drama e Ndërdijes
para dyqind apo treqind vitesh
në vendin e kentaurëve të robëruar
Sot papritmas m’u shfaqe
në Alfa gjendjen e shpirtit
vetëm sa për ta vërtetuar teoremën
e ekzistencës së ripërtëritjes
Dhe u fute sërish
në lëmshin e ëndrrallave
për t’u dukur në një tjetër kohë
pas dyqind apo treqind vitesh
58
59. Evolucioni i dashurisë
Prej ëndrrës në ëndërr - mendimi
Prej mendimit në mendim - fjala
Prej fjalës në fjalë - vargu
Prej vargut në varg - kënga
Prej këngës në këngë - jeta
Prej jetës në jetë - dashuria
Prej dashurisë në dashuri - pavdekësia
Prej pavdekësisë në pavdekësi - prap ëndrra
E dashur!
Kush na i vodhi ëndrrat?
59
60. Ekstazë dashurie
Të mendoja flokëverdhë
me ballin e shpaluar,
të mendoja syzezë
me fytyrë të praruar.
M’u shfaqe në ëndërr
me një psherëtimë ndër buzë,
flokëverdhë më dole zhgëndër
syzezë, siç të doja unë.
Njëmijëherë atë natë
shkrova një emër në letër,
dhe njëmijëherë të tjera
psherëtita më vete:
-Oh, Vale. . . Valdete!
Atje ku dielli puth detin,
atje ku hëna shkëlqen në muzg,
atje ku yjet qiellin veshin,
tek shëndrisje, të pashë unë.
Si balerinë vallëzoje,
si flutur krahëlehtë,
mes turmës sikur kërkoje
pamjen time - siluetë.
Kur më humbe nga syri
në zemër më lëndove,
si ngushëllim pastaj
tog xixash lëshove.
S'të kuptova pse vajte
në vend pse më stepe?
-Oh, Vale. . . Valdete!
60
61. Në tingujt e kitarës
që thurrin serenadën,
në puhinë që sjellin valët
erdhe bashkë me promenadën.
Në fluturim mjellmash
krahët t’i dallova,
miklimin tënd ndjeva
në prehër qetas pushova.
Nganjëherë të shoh mes nimfash
në strofullën hyjnore,
nganjëherë e Bukur e Dheut
si në botën përrallore.
Herë m’u shfaqe
herë m’u trete,
po ti prap në mua mbete:
-Oh, Vale. . . Valdete!
Në njollën e kuqe të qershisë
që ta spërkati buzën njëherë,
zbulova sekretin e dashurisë
dhe pamjen tënde pranverë.
Në shushurimën e gjetheve të blerta
rrahjet tua, ndjeva, në zemrën time,
në freskinë e puhizave të mëngjesta
me ty: ndër ëndrra, ndër vegime. . .
Më beko me gjuhën e Doruntinës,
më mbaj në gji me mallin e Angjelinës,
prore më vështro me sytë e Dalilës,
forcë e dritë më dhuro, me Besën e Hajries,
më shoqëro në Parajsë me duart e Beatriçes,
në amshim ta ndiej zërin e Euridikës!
Se unë s’do praj as sonte
ta shuaj këtë zemër të ndezur,
por do flas, e do flas. . . më vete:
-Të dua, Vale. . . Valdete!
61
62. Gjysmëndërr
Nuk më kujtohet
në isha fjetur a zgjuar
Nuk e di
në ç’kohë e ç’vend isha strukur
Desha vetëm
ta zhgaravis emrin tënd
në njëmijë ekzemplarë
ulur në karrigen
e thurrur me vargje
Mbi tavolinë
sall një tufë mimozash
dhe një letër e bardhë
e formatit A-4
Të vura re
nga dritarja e hapur dykrahëshe
tek afroheshe
me shpatë ndër dhëmbë
Nuk bëzava
Ndjeva vetëm forcën e shpirtit
dhe një klithmë nga brenda:
Shkruaj!
Ti s’munde të më vrasësh
as dje as sot as nesër
që kur u betova
në dashurinë e fjalës së shkruar
Në fund e hapa Kutinë e Pandorës
dëshmitarë më kishin mbetur
vetëm lapsi pa ngjyrë
dhe letra e zhubravitur
e formatit A-4
62
63. Mbetëm të vetëm
Vitet qenë plot ëndrra
në zemër mbanim një diell
por sot mbetëm të vetëm
-emri im i vjetër dhe unë!
Mëngjeset qenë të freskëta
muzgjet e ngrohta ngjyra ari
Në turma njerëzish
gjithmonë të kam njohur
kur edhe dritave të korzos
lamtumirë u thashë
për të mbetur sot në vetmi
-emri im i vjetër dhe unë!
Vitet qenë plot çudira
zemrat mbushur egzaltime
Gëzimet që kurrë nuk harrohen
enden mbi prizmat e shkollës
aty ku përherë është tretur
rinia ime e parë. . .
E sot mbetëm të vetëm
-emri im i vjetër dhe unë!
Vitet qenë plot ëndrra
në zemër mbanim një diell
por sot mbetëm të vetëm
-emri im i vjetër dhe unë!
Zenicë, maj '88
63
64. Fundi i kohës
Në djepin e jetës
Përkundemi ninulë
Symbylltas parakalojmë
Shtegut të paqenë
Pa arritur të zbulojmë
Zërin tonë të humbur
Kthejmë kokat pas shpine
Një rreth kemi bërë
Edhepse pas vetes
Dekada kemi lënë
Askush të na tregojë
Askush të na rrëfejë
Kur t’ia fillojmë
Vrapit Solemn të vetnjohjes
Të harbisur me duar kah dielli
Për ta futur në gji një ditë
Pa kuptuar se ai ka perënduar
Symbylltas i kthehemi djepit
Dhe letrës së zhvirgjër
Që gjithmonë na mbetet në gjysmë
Fundi erdhi - koha shkoi
Më duket se më mbet
Edhe diçka pa thënë
64
65. Testament
Pas perëndimit të Diellit
Dhe lindjes së tij gjetkë
Ma ruaj të vërtetën. Të vërtetën
mes vargjesh strukur, ma ruaj!
Mbështjellur me çefinin e ngirë me vdekje.
Pas vyshkjes së dafinave
Dhe lulëzimit të tyre në pranverë
Ma ruaj blerimin. Blerimin e mbushur
aromë, në njomësinë e fytyrës, ma ruaj!
Vetëm kështu do ta ndiej bekimin e vargjeve.
Pas vdekjes më shkruaj, të lutem
Një letër të shkurtër - sa jeta
Dhe më trego a vdiset apo jetohet i vdekur.
Më shkruaj për librin tim të parë
Për ngjyrat e ylberit, më shkruaj. . .
Në letër: pak fjalë. Ti e di mirë.
Fjalët e shumta përfundojnë në hiç
Në hiç, dhe heshtjet e pafund.
Më shkruaj për shirat e vjeshtës
Dhe vetëm: si jetohet në vdekje.
Më prit një ditë. Do të vij.
Për ty do të jetë ëndërr. Dhe porosi:
Djepin që do të të përkund në amshim
Gjeje në këtë botë.
Më prit. Do të jetë mesnatë.
Më shkruaj shkurt - sa jeta
Për librin tim të parë. Mos griset?
Dhe më trego si vdiset i gjallë
Në daç të kuptosh
Si jetohet i vdekur.
65
66. PËRMBAJTJA
Odë përjetësie, 3
KRONIKË ANONIME (Somnulenca), 5
Renditja nuk ka rëndësi, 6
Himni i poezisë, 7
Kronikë anonime, 9
Pritje, 10
Bisedë e papritur me bustin, 11
Fluturimi i mjellmës, 12
Njerëzit në peshojën e jetës
1.(pësimi i pafajshëm), 13
2.(bota e dashurisë), 14
Kulla a Babilonit, 15
Vargje pa adresë, 16
KAFKA NË ITAKË (Katalepsia), 18
Përshëndetje, 19
Nata mbi Rajnë, 20
Vallja e vdekjes, 21
Antinjeri, 22
Simfonia e natës më të gjatë, 23
Kafka në Itakë, 25
Sekreti, 26
Robëria, 27
Peizazh Kosove, 28
Zgjimi ne tri akte
(akti i pare: Bubullima), 29
(akti i dytë: Shtrëngata), 30
(akti i tretë: Loja me pranverën), 31
Dostojevski në tryezën e sotme, 32
Zia e ditës, 33
66
67. Antitezë, 34
Para ndërrimit të motmoteve, 35
FENIKS I HUMBUR (eklips), 37
Rrugëtimi i parë vertikal
1.(Lindja vertikale), 38
2.(Metamorfoza vertikale), 39
3.(Jeta vertikale), 39
4.(Dashuria vertikale), 40
5.(Dënesja vertikale), 41
6.(Vdekja vertikale), 41
7.(Amshimi vertikal), 42
Feniks i humbur, 43
Protestë moderne, 45
Koha në eklips, 47
Pesimistit, 48
Optimistit, 49
Në kapakët e guaskës, 50
Nokturno, 52
Dielli në ferr, 53
TESTAMENT (zgjimi), 55
As në tokë as në qiell, 56
Poezi e reinkarnuar, 58
Evolucioni i dashurisë, 59
Ekstazë dashurie, 60
Gjysmëndërr, 62
Mbetëm të vetëm, 63
Fundi i kohës, 64
Testament, 65
Përmbajtja, 66
67